WwW.AlbaNiaN-Boys.tk
ReGister Nese Sje i regjistrumm

nga : HackeR-Besart

WwW.AlbaNiaN-Boys.tk


 
ForumPortaliCalendarGalleryKërkoGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Viti 2011 për shqiptarët do të jetë më i keq se viti 2010

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
HackeR-Besart
Administrator
Administrator
avatar

Numri i postimeve : 113
Web Page : 335
Join date : 13/11/2010
Age : 21

MesazhTitulli: Viti 2011 për shqiptarët do të jetë më i keq se viti 2010   Fri Dec 31, 2010 5:29 pm

Viti 2010 ishte një vit i dështuar, por viti 2011 do jetë shumë traumatik për Maqedoninë dhe shumë më i rëndë për shqiptarët e këtushëm. Janë këto parashikimet e publicistit dhe shkrimtarit të njohur Kim Mehmeti për atë se çka do të na presë vitin e ardhshëm, të sublimuara në një intervistë ekskluzive për numrin festiv të gazetës “Lajm”. Edhe gjatë vitit 2010 me kolumnat e tij të rregullta u veçua ndër kronikët më të mirë të aktualitetit shqiptar jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon. Prandaj mendojmë se kemi bërë zgjedhjen e qëlluar të personit i cili në fund të vitit 2010 mund të flasë për atë se çka mund të na presë vitin e ardhshëm.

“Në vitin 2011, qytetarët e Maqedonisë do përballen me të vërtetën se nga gjitha përmendoret që ngriti Gruevski, më e lartë dhe më madhërishme është ajo e varfërisë dhe izolimit të shtetit. Pastaj, etniteti maqedonas do duhet të përballet me të vërtetën se Gruevski, këtij populli ia morri të sotmen e të ardhmen, në emër të ndërtimit të së kaluarës maqedonase. E sa u përket shqiptarëve, në vitin 2011, ata do qëndrojnë përpara pasqyrës ku do i shohin vitet e humbura shkaku i injorancës politike të udhëheqësve të vet”, thotë mes tjerash në këtë intervistë Mehmeti





LAJM: Si e vlerësoni vitin 2010 për shqiptarët e Maqedonisë në aspektin politik ?

Kim Mehmeti: E vërteta se edhe dhjetë vite pas konfliktit të 2001, ne duhet të vlerësojmë situatën politike në baza etnike, do të thotë se jetojmë në shtet ku përkatësia etnike e përcakton fatin e qytetarëve të Maqedonisë. Pastaj, e vërteta se edhe dhjetë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ne qortohemi mes veti se vallë ajo është e vdekur, apo se edhe dhjetëra vite të tjera, ajo do i mbulojë paaftësitë e partive shqiptare që të bëhen atë që thonë se janë – drejtuese të shtetit - dëshmon se Maqedonia ka vetëm një interes shtetëror – atë të etnitetit maqedonas. Me çka del se partitë shqiptare në Maqedoni, e institucionalizuan rolin e tyre vasal ndaj sunduesit maqedonas, se ato e pranuan pozitën e shërbëtorit që do shpërblehet sipas asaj sa do mund të mbajë nënë kontroll popullatën që përfaqëson. Me çka pra, partitë e këtushme shqiptare, u kapën në rrjetin e merimangës së Gruevskit, nga i cili rrjetë nuk do mund të dalin lehtë, ngaqë kjo pozitë e tyre, aq i ka komprometuar, sa u mungon vetëm të shpallen degë partiake e VMRO-DPMNE-së. Pra, shoqëria e sotme shqiptare në Maqedoni, nuk dallon shumë nga ajo e para konfliktit, ajo me shumëçka nuk dallon gjithaq as nga kohët e socializmit.



LAJM: Si e shpjegoni këtë pozitë të shqiptarëve të Maqedonisë?

Kim Mehmeti: Këtë pozitë të shqiptarëve të Maqedonisë, më së miri e shpjegon roli i përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë e VMRO-DPMNE-së, ku Gruevski e realizon programin e partisë së vet pa i pyetur për këtë shqiptarët, e shqiptarët kënaqen me mbeturinat që ua jep kryeministri si “dëmshpërblim”, pasi të ketë botuar ndonjë Enciklopedi monstruoze, apo pasi të ketë shpallur projekte përbuzëse ndaj popullit tonë, si për shembull atë “Shkupi 2014”, e kur përfaqësuesit e BDI-së, shkojnë ta lusin që për një kohë ta tërheq nga shitja atë Enciklopedi dhe të pranojë ngritjen e ndonjë përmendoreje të personaliteteve shqiptare. Çka ai edhe e pranon, ngaqë e ka arritur qëllimin e vet, ngaqë e dinë se me diçka duhet ta mbulojë vasalitetin e qeveritarëve shqiptarë. Dhe shqiptarët e Maqedonisë janë në këtë pozitë mjerane politike e ekonomike, ngaqë kanë përfaqësues politik që besojnë se çdo gjë ka filluar e do përfundojë me ata, ngaqë kanë udhëheqës të cilëve askush nuk u ka treguar se shqiptarët e këtushëm vasalitetin e kanë shijuar me dekada të tëra gjatë periudhës socialiste, ngaqë kanë politikanë që nuk janë as aq të informuar sa ta dinë se edhe në kohën e socializmit, shqiptarët e këtushëm ishim të “barabartë” me të tjerët, por ajo barazi vlente aq sa ua përcaktonte sunduesi i etnitetit sllav, se flamuri shqiptarë, nuk erdhi në Maqedoni atë ditë kur u kthyen në vendlindje udhëheqësit e BDI-së, por ai ishte i lejuar edhe në periudha të mëparshme, por njësoj si tani, vetëm atëherë kur ishte e domosdoshme dhe aq sa e përcaktonte sunduesi të cilit i shërbenin shqiptarët, se edhe në kohën e socializmit, gjuha shqipe ishte “gjuhë shtetërore” e Maqedonisë, por atë mundë ta flisje vetëm në mjedisin tënd, se edhe në Maqedoninë socialiste, shteti “kujdesej” për shumkulturalizëm, por duke e përcaktuar emblemën kulturore maqedonase si identifikuese për tërë shteti, se....., se....., se edhe në socializëm shteti thirrej në përbërjen e vet të popujve të barabartë, por duke barazuar interesin e shtetit vetëm me interesin e popullit që veten e quante, dhe e quan, maqedonas. Dhe duke pas përfaqësues të tillë qeveritar, ne e rijetojmë të kaluarën tonë, ne mbetemi pa të sotme, e sa i përket së ardhmes, ajo do varet vetëm nga forca jonë kolektive që të përballemi me të vërtetën se nga 2001 e këtej, ne jemi viktimë e injorancës politike shqiptare, se jemi peng e vetëdijes vasale të përfaqësuesve tanë politik, vetëdije e cila nuk shkon më tej se të kënaqet me ato që ia jep dhe ia lejon sunduesi. Dhe duke qenë udhëheqësit tanë të paaftë të shkojnë përtej kësaj vetëdije vasale, ata neve na prunë në pozitë të debatojmë se cili na qenka sundues më i mirë: Gruevski apo Crvenkovski. Pra, duke pasur udhëheqës të tillë partiak, të cilëve herë u duket më i mirë njeri, e herë tjetri sundues, ne e kemi thuajse të pamundur të dëshmojmë se kur janë në pyetje kërkesat shqiptare, Grujo e Branko dallojnë mes veti aq sa “ski-ja” në fund të mbiemrit të tyre. Pra, e kemi të pamundur të dëshmojmë se nuk jemi ne ata që herë pëlqejmë njërin, e herë tjetrin sundues, por kryesuesit e BDI-së janë ata që dikur u vëllazëruan me Crvenkovsin e sot me Gruevskin, e në ndërkohë, duke na përshkruar neve atë që bëjnë vetë: ta ndërrosh pronarin, e të të mbetet samari. Me çka, del puna se ne shqiptarët e rëndomtë, duhet t’i pëlqejmë vetëm maqedonasit me të cilët u shkon mirë muhabeti liderëve të partive shqiptare në pushtet, se ashtu siç i ndërrojnë ata shokët e vetë politik, edhe ne duhet të kemi kujdes me këndë shoqërohemi dhe cilin koncept politik do e përkrahim. Pra, del puna se tani kur BDI-ja është vëllazëruar me krahun “latasian” të VMRO-DPMNE-së me në krye Gruevskin, patriot na qenkan vetëm ata shqiptarë që qëndrimet e veta politike i mbështesin mbi politikën redaktuese të TV “Sitelit”. Gjë që shpjegon se shoqëria shqiptare në Maqedoni nuk prodhon politika të veta etnike, por u përshtatet atyre që ia imponojnë qarqet maqedonase politike. Gjë që rezulton më një primitivizëm pervers politikë, primitivizëm që partisë shqiptare që i fiton zgjedhjet, i lejon të bashkëpunojë me cilindo parti maqedonase, duke përfshi edhe VMRO-DPMNE-në e Latasit, ndërsa neve të vdekshmëve të rëndomtë, na imponohet që edhe miqësitë me qytetarët e etniteteve tjera, t’i barazojmë sipas asaj se me kënd BDI-ja ka bërë koalicion qeveritarë. Kjo quhet përbuzje nga më të ulëtat që një udhëheqësi partiak mund t’ua bëjë njerëzve publik të popullit të vet.





LAJM: Për çfarë do ta mbajnë mend shqiptarët vitin 2010?

Kim Mehmeti: Viti që lëmë pas, si edhe të gjithë vitet tjera, ne do duhet t’i mbajmë mend nëpërmjet dëshmisë që na ofroi ky shtet: dëshmisë se kemi të bëjmë me pushtet diktatorial, i cili si i tillë u ndërtua edhe me kontributin që dhanë partitë shqiptare në qeveritë e Gruevskit. Pra, vitin që lëmë pas, duhet ta mbajmë mend edhe nëpërmjet rastit të Radushës , ku u ekzekutuan shqiptarë, pa pasur mundësi të mbrojnë pafajësinë e vet përpara gjyqit. Këtë vit, duhet ta ndërmendim edhe si një pasqyrim i të vërtetës se, edhe lufta kundër krimit të organizuar, përdoret për t’i treguar botës se jomaqedonasit janë kriminelët e vetëm në këtë shtet. Dhe kjo u realizua nëpërmjet aksioneve policore dhe burgosjeve spektakolare të biznesmenëve jomaqedonas, siç është rasti i Bajrushit nga Kumanova dhe ai më u fundit i Ramkovskit. Me çka, ke përshtypjen se i tërë biznesi në Maqedoni është në duart e jomaqedonasve, se vetëm biznesmenët maqedonas i përmbahen ligjit e rendit. Sikur kjo qeveri me të vërtet ta luftonte krimin, atëherë këtë betejë do duhej ta fillonte nga ato “balenat” e mëdha që e kanë në duar tërë kapitalin e këtij shteti, e të cilët janë me përkatësi etnike maqedonase. Por, Gruevski këtë nuk e bënë, ngaqë duhet të fillojë nga familja e tij partiake e biologjike, ngaqë donë t’i tregojë botës se burim i krimit dhe dukurive negative në biznes, janë jomaqedonasit. Dhe kjo ndodh ngaqë përfaqësuesit tanë politik, nuk dinë t’ia shtrojnë Gruevskit një pyetje shumë të logjikshme: si qenka e mundur që krimin ekonomik ta udhëheqkan shqiptarët e jomaqedonasit tjerë, në një shtet ku çdo gjë kontrollohet nga qarqet politike të etnitetit maqedonas? Si qenka e mundur që kontrabanda, larja e parave dhe krimet tjera, të qenkan të kontrolluara nga jomaqedonasit, kur në këtë shtet nuk mund të hyjë asnjë maune pa e ditur familja e Gruevskit, familje e cila tërë një Maqedoninë e ka bërë si pronë të veten? Por, si ta shtrojnë këtë pyetje ata që janë në krahun e “xingove” të ndryshëm, “xingove” që deri në frymën e fundit i mbetën besnik Millosheviqit e që kanë në pronësi qytetet të tëra.



LAJM: Pas një viti të dështuar si 2010-ta, a mund të presin shqiptarët e Maqedonisë ndonjë vit më të mirë se ky që lamë pas?

Kim Mehmeti: Mendoj se viti i ardhshëm do jetë shumë traumatik për Maqedoninë, do jetë shumë më i rëndë për shqiptarët e këtushëm. Në vitin 2011, qytetarët e Maqedonisë do përballen me të vërtetën se nga gjitha përmendoret që ngriti Gruevski, më e lartë dhe më madhërishme është ajo e varfërisë dhe izolimit të shtetit. Pastaj, etniteti maqedonas do duhet të përballet me të vërtetën se Gruevski, këtij populli ia morri të sotmen e të ardhmen, në emër të ndërtimit të së kaluarës maqedonase. E sa u përket shqiptarëve, në vitin 2011, ata do qëndrojnë përpara pasqyrës ku do i shohin vitet e humbura shkaku i injorancës politike të udhëheqësve të vet. Dhe nëse në ndërkohë nuk ndryshon diçka, edhe vitin e ardhshëm, do kemi një vit të turbull, gjatë të cilit Ali Ahmeti do na i rikujtojë rezultatet që ka arritur partia e tij, duke filluar nga përmendorja e Skënderbeut, e deri te Kongresi i Alfabetit e ai i Lirisë në Shkup, por duke mos na shpjeguar kurrë si mund të arrihet barazi me të tjerët në një shtet, ku për shembull, buxheti miratohet sipas majorizimit etnik. Për ne shqiptarët, viti që vjen do jetë vit kur do duhet të përballemi me përbuzjen që na bëhet, kur do përballemi me të vërtetën se çdo gjë që na ndodh, ka të bëjë me paaftësinë ton që ta ndryshojmë vetveten.



LAJM: A duhet që shteti amë, Shqipëria të ndihmojë në tejkalimin e gjendjes në të cilën ndodhen shqiptarët e Maqedonisë?

Kim Mehmeti: Fati i shqiptarëve të Maqedonisë me shumëçka varet, e do varet, nga konsolidimi i situatës politike e ekonomike në Shqipëri e Kosovë. Dhe kjo duhet të pranohet si diçka e natyrshme dhe e domosdoshme për një pjesë të popullit të mbetur jashtë kufijve të dy shteteve tona amë. Situatën e pakonsoliduar politike e ekonomike në Kosovë e Shqipëri, e keqpërdorin elitat e këtushme politike maqedonase. Dhe jo vetëm ato, por edhe partitë shqiptare, të cilat të paaftë të prodhojnë politika frutdhënëse për popullin e vet, ato prodhojnë grindje. Andaj, mendoj se partitë e këtushme më të mëdha shqiptare, në krye me BDI-në e PDSH-në – duke mos përjashtuar edhe disa nga ato më të voglat pa portet të qartë politik, siç është DR-ja – nuk janë pjesë e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoni, por janë pjesë e problemit, janë pengesë për zgjidhjen e kërkesave shqiptare. Të tilla janë ngaqë interesat madhore të shqiptarëve të këtushëm, ato i “partizuan”, i bënë çështje partish. Nuk mund të jetë çështje e një partie barazia gjuhësore, barazia kulturore, ndarja e drejtë e buxhetit shtetëror. Nuk mund të jetë çështje e një partie përbuzja që u bëhet shqiptarëve të këtushëm, me botimin e Enciklopedive monstruoze, të financuara me paratë e taksapaguesve shqiptarë, apo me ndërtimin e përmendores së “Branitelave”, gjithashtu të ngritur me kontributin shqiptarë.



LAJM: Sa respektohen të drejtat e gazetarëve në Maqedoni?

Mehmeti: As në socializëm nuk bëhej ky presion që bëjnë “demokratët” shqiptarë kur vijnë në pushtet. Gazetaria shqiptare në Maqedoni kurrë nuk ka qenë kaq e shtypur politikisht. Asnjëherë nuk ka qenë gazetaria shqiptarë në varshmëri kaq të madhe nga qendrat politike pushtetare. Kështu që, gazetaria e sotme shqiptare, varet nga mëshira e “latasëve” që drejtojnë këtë shtet, ajo përbuzet edhe nga përfaqësuesit shqiptarë në qeveri, të cilët udhëhiqen nga vetëdija e inferiorit, vetëdije që të çon të ndjehesh më mirë kur të lëvdojnë “latasët”, se sa gazetarët shqiptarë. Dhe kjo ndodh ngaqë politikanët shqiptarë duan të jenë të pëlqyer nga mediet dhe qarqet politike maqedonase, por as që u kërcet se çka për ta mendojnë gazetarët e mediet shqiptare. Andaj, ata ndjehen më mburrshëm kur ua drejton mikrofonin gazetari maqedonas, si për shembull ai i TV “Sitelit”, se sa gazetari i “Alsat -m”, apo ai i gazetës suaj. Ndjehen ashtu ngaqë mendojnë se edhe gazetari shqiptar, është injorant si ata, gjë që nuk është e saktë. Gazetaria shqiptare në Maqedoni ka standardet e duhura profesionale, por ajo është e penguar ta dëshmojë vetveten, ngaqë “latasët” marrin edhe pjesën e reklamave që financohen nga taksapaguesit shqiptarë, e mediet shqiptare nuk marrin atë që u takon, ngaqë kanë politikanë që duan të jenë çdo natë në TV ekranet maqedonase, në vend që ta bëjnë të kundërtën: të dalin sa më rrallë, që të mos na turpërojnë të gjithëve me injorancën e tyre që e shpalosin publikisht.



A ekziston demokracia, liria e mediave?



K. Mehmeti: Si mund të flitet për liri të mendimit të lirë dhe liri mediesh në një shtet ku qeveria është reklamuesi më i madh mediatik. Si mund të flitet për liri mendimi dhe liri shtypi në një shtet ku partia qeverisëse të ofron vetëm dy zgjidhje: “O të jesh me Alinë, o me Velinë”. Aty ku gazetarëve u shtrohet pyetja “A je me Alinë, apo me Velinë”, është e vështirë të përgjigjesh - jam me gazetarinë, ngaqë të rrezikohet ekzistenca familjare, ngaqë mund të pësojnë familjarët tu, që nuk janë me asgjë fajtor shkaku i qëndrimeve tua politike. Andaj unë nuk i konsideroj gazetarët tanë shqiptarë si më pak të guximshëm se kolegët e tyre maqedonas, por i mbajë për më fatkeq, ngaqë gazetarët maqedonas kanë më shumë zgjidhje, ngaqë një publicisti maqedonas nuk mund t’ia largojnë fëmijën nga puna me arsyetim se ka munguar “tre ditë” me radhë nga vendi i punës, por duke mos treguar se për cilët tre ditë bëhet fjalë, nga dy vitet e tërë, sa ia nuk ka qenë në punë, si edhe qindra të tjerë si ai, që janë punësuar për të mos punuar. Por, ka diçka që duhet thënë: veprimet e turpshme të pushtetarëve shqiptarë për ta “vasalizuar” edhe mendimin e lirë dhe gazetarinë shqiptare, asnjëherë nuk do mund të shpërlahet nga fytyrat e tyre politike. Siç nuk do shpërlahet kurrë e vërteta se, duke qenë të paaftë të ndikojnë në ndarjen e drejtë të parave shtetërore për reklamimet qeveritare, ata lejuan që thuajse gjitha parat e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë për financimin e TV “Sitelit” dhe për mirëqenien e “latasëve” që vozisin xhipa që kushtojnë me qindra mijëra euro, përkundër gazetarëve shqiptarë që nuk kanë para as për të paguar biletat nëpër autobusët urban.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://albanian-boys.tk
 
Viti 2011 për shqiptarët do të jetë më i keq se viti 2010
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Plisi shqiptar- Lashtësia e kapeles bardhë-PLISIT
» Spiunët shqiptarë të Lobit Serb në Kosovë
» Përse Enver Hoxha e kritikonte Çe Guevarën
» Djepat shqiptar dhe ritet tjera dhe foto historike
» Sylejman Aliu:Përse Dik Marti nuk përmend krimet serbe mbi shqiptarët?

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
WwW.AlbaNiaN-Boys.tk :: LAJME :: Lajme-
Kërce tek: