Renova dhe Shkëndija janë në pritje të mini “El Klasikos” në Tetovë, e cila
ndeshje është në program të dielën në stadiumin e qytetit, në të cilën kuqezinjtë janë nikoqirë të sfidës. Renova ka mbrojtjen më të mirë pasi në 16-të javë ka pranuar tetë gola, kurse në anën tjetër Shkëndija ka sulmin më efikas – 26 gola të dhënë.
Shkëndija (e dyta me 29 pikë) ka rastin që me fitore eventuale të kthehet në krye të renditjes tabelore me një pikë më shumë se Renova (është lider me 31 pikë), kurse këtyre të fundit iu konvenon edhe barazimi, ndërsa fitorja si “mysafir” do të ishte si “qershia mbi tortë”. Sepse me tre pikë të reja kampionët aktual do të rrisnin epërsinë e pikëve në +5 dhe do të ishin shumë pranë titullit të kampionit vjeshtor.
Dueli mes këtyre dy skuadrave, ndryshe quhet si derbi i Pollogut, derbi i qytetit ose derbi i sezonit vjeshtor dhe për këtë arsye pritet me padurim nga të gjithë sportdashësit në Tetovë dhe më gjerë. Të gjithë presin një spektakël futbolli në një prani të madhe të tifozëve të njërës dhe palës tjetër. Presim që e diela le të jetë një festë e vërtetë, ku të gjithë ata që ia mësyjnë stadiumit të qytetit të kënaqen duke shikuar mjeshtëritë e futbollistëve të të dyja palëve pa dashur këtu të përmend emra, sepse janë shumë. Presim anim korrekt nga shikuesit e pranishëm në tribuna, kurse në fund të duartrokasin futbollistët e të dyja ekipeve. Në këtë mënyrë do të tregonim kulturë të lartë sportive. Pra, ky është ky një rast shumë i mirë që tifozët shqiptarë edhe njëherë të dëshmojnë se e duan futbollin, por në anën tjetër edhe t’i demantojnë të gjithë ata dashakëqij që mundohen ta shpallin Tetovën si një vend ku është e pamundur të luhet
futboll. Mesazhi më i mirë për këtë
ndeshje është: Të fitoj më i miri, të fitoj futbolli. Në fund të përkujtojmë se, në sezonin vjeshtor Renova me golin e Ylber Aliut pat mundur Shkëndijën me rezultat 1-0.